U festua 10-vjetori i Shoqatës “Kosova Lindore” në New York Përvjetorët e festës së Kosovës Lindore në diasporë kanë një veçanti të bukur, janë dhe mjaft emocionale. Këtë mbresë morën të gjithë pjesëmarrësit e aktivitetit të organiozuar më 12 mars 2023 në lokalin “Maestro’s Caterers” në Bronx të New York-ut, Ishte festa e përkujtimit të 10 vjetorit të themelimit të Shoqatës “Kosova Lindore” në Amerikë. Një festë ku gjeografia e shteteve pjesëmarës në të ishte mjaft e gjërë. Në këtë festë merrnin pjesë bashkatdhetarë që vinin nga shtetet: New Yorku, New Jersey, Pennsylvania dhe Connecticut.
Në jetën e një shoqate, 10 vite veprimtari, janë të rëndësishme, për kontributin për çështje kombëtare dhe kulturore. Me tingujt e muzikës, mes fëmijëve, grave dhe bashkatdhetarëve nga Lugina e Preshevës (Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë), por edhe pjesëtarë edhe nga të gjithë viset shqiptare, u organizua një event mbresëlënës. Ishte një festë e vërtetë, e programuar, si për anën dekorative të mjedisit ashtu edhe për përmbajtjen e kësaj feste. Salla ishte stolisur me balona në çdo tavolinë. Në hyrje të sallës kryetarja e Shoqatës, Teuta Ahmedi, me buzëqeshje dhuronte te dera nga një buqetë lulesh, për gratë pjesëmarrëse, që rastiste edhe me 8 Marsin, Ditën e Gruas. Në të u kujtuan vitet, fillimet e kësaj Shoqate, aktivitetet që ajo ka organizuar në vite, ndihmën që ajo ka dhënë për vendlindjen.U kaluan disa orë në një atmosferë të bukur festive, gati familjare. Teuta Ahmedi, një aktiviste e njohur në komunitetin shqiptaro-amerikanë, shpalosi historinë 10-vjeçare të kësaj shoqate, e cila i mbledh emigrantët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, që gjeografikisht, janë shpërndarë anembanë SHBA.Kemi nevojë shumë për festa të tilla që të zgjojnë jo vetëm kujtimet e së kaluarës, po që forcojnë edhe identitetin e krahinës së Kosovës Lindore në diasporë aq më tepër në një vend që ka ndihmuar e ndihmon në zhvillimet politike të kombit tonë.